Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Një rast i tillë i rëndë është raportuar të ketë ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Mehmet Devaja’ në Gjilan, ku një çift e kanë denoncuar djalin e tyre për dhunë në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria bëjnë të ditur se prindërit që janë në hall me të birin kanë vendosur ta raportojnë rastin në Polici, ku të shqetësuar skajshmërisht kanë rrëfyer për dhunën fizike dhe psikike nga i biri 27-vjeçar. Sinjali mëson se nga deklarata e tyre është kuptuar se djali fillimisht kishte ushtruar dhunë ndaj tyre e më pas i ka kërcënuar me thikë se do t’i vras. Përballë kësaj situate, viktimat kanë kërkuar ndihmën e Policisë, para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i këtij denoncimi, Policia ka arrestuar dhe shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit për veprën me të cilën ngarkohet. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit dhe është iniciuar rasti si “Dhunë në familje”.