Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Malatya të Turqisë, një nga zonat më të goditura nga tërmeti i 6 shkurtit. Mrekullia ka ndodhur në një apartament në lagjen “Niyazi Misri”, ku katër persona janë shpëtuar të gjallë falë celularit të tyre.
Që lëkundjet e para të tërmetit, një person ka hedhur nga dritarja celularin e tij personal, i cili ka përfunduar disa metra larg pallatit, që u shemb plotësisht nga tërmeti. Ishte një qytetar, pjesë e ekipeve të kërkim-shpëtimit, që pikasi celularin që i binte zilja diku të hedhur në tokë.
Nga ana tjetër e celularit ishin të afërmit e katër personave që kishin mbetur nën rrënoja, që kërkonte të fliste dhe të merrte vesh për fatin e tyre. Kjo bëri që, personi që gjeti celularin të lajmërojë pjesëtarët e tjerë të shpëtimit, të cilët nisën të gërmojnë.
Babai i shqetësuar për fatin e gruas, dy vajzave dhe djalit të tij i tha të huajit që gjeti celularin që të nisnin kërkimet sepse të gjithë ata kanë qenë aty brenda dhe janë mes rrënojave. Ata u nxorën në gjendje të mirë nga rrënojat dhe janë jashtë rrezikut për jetën, kjo falë celularit “shpëtimtar”.