Ekzekutimi i shqiptarit me tre plumba, policia identifikon autorin.
Policia e Selanikut ka arritur të identifikojë autorin që ekzekutoi me armë zjarri 50-vjeçarin shqiptar, ditën e sotme pranë një karburanti.
Mediat greke shkruajnë se agjentët e policisë greke, kanë identifikuar autorin shqiptar nga targa e tij e makinës, në të cilën ndodhej në momentin që ekzekutoi bashkëkombësin e tij, por identiteti i tij nuk është bërë ende publik për mediat.
Po ashtu raportohet se shqiptari i cili kreu krimin, është person me precedent penal dhe i njohur për policinë greke për disa vepra penale. Ndaj tij po zhvillohen kërkime policore masive, por ende nuk ka asnjë të dhënë rreth vendndodhjes së tij.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi ditën e sotme rreth orës 13:00, pranë një pike karburanti në Selanik.
Viktima dhe autori kishin qenë së bashku më herët në një lokal pranë zonës ku ndodhi krimi. Teksa u larguan nga kafeneja dhe u ndalën në pikën e karburantit, mes tyre nisi konflikti, i cili rezultoi tragjike për 50-vjeccarin.
Arsyet e sherrit nuk dihen ende, por autoritetet greke dyshojnë se mund të lidhet me probleme financiare, që dy shqiptarët mund të kenë pasur me njëri-tjetrin.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë momentin e ngjarjes, ku shihet fillimisht viktima te dritarja e makinës së autorit dhe e godet atë me zinxhir, teksa ai ndodhej brenda mjetit.
Por në këtë moment ai qëllohet me pistoletë nga brenda makinës dhe bie në trotuar, ndërsa vrasësi largohet me shpejtësi me makinë nga vendngjarja.
50-vjeçari shqiptar mori 3 plumba në kraharor dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.