E dhimbshme: Kjo është 40 vjeçarja Drita Kiqina që u gjet e vdekur në banjon e shtëpisë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Baicë në Drenas, ku një grua u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj dhe akoma nuk dihen rrethanat në të cilat ka vdekur. Lidhur me rastin tashmë kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Drita Kiqinën, rreth 40-vjeçare, vdekjen e të cilës e ka konfirmuar ekipi mjekësor që intervenoi në vendin e ngjarjes.
Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se e njëjta ka ndërruar jetë.
Viktima u gjet në banjon e shtëpisë dhe sipas informacioneve të para, trupi dyshohet se ka qëndruar aty për një kohë të gjatë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.