Gruaja që dyshohet se u vra nga ish-burri i saj në oborrin e QKUK-së ka përjetuar trajtim mizor derisa ishte e martuar me të dyshuarin. Kështu e konfirmoi për T7 motra e viktimës, e cila tha se për 6 muaj, burri i saj nuk e ka lënë Hamide Magashin të dalë prej shtëpisë. Sipas saj, ai ia ka lidhur asaj duart dhe këmbët duke e mbajtur në shtëpi e duke i qëndruar me thikë.
Gruaja që dyshohet se u vra në oborrin e QKUK’së ishte duke jetuar me babanë e saj që kur u nda nga burri i saj. Kështu e konfirmoi për T7 motra e viktimës, e cila tha se H.M dhe burri i saj kanë pas probleme edhe më herët, dhe se burri i saj gjithmonë ka mbajtur armë e thikë në shtëpi. Sipas saj, viktima është ndarë me të me ndihmën e Policisë. Gazeta Express dhe T7 do të ju mbajë të informuar lidhur me detajet e tjera.
Kujtojmë se burimet nga QKUK-ja bëjnë me dije për Sinjalin se i dyshuari për këtë rast është Sokol Halili, 31-vjeçar i cili dyshohet se e ka qëlluar ish-bashkëshorten Hamide Magashin, 35-vjeçare, nga fshati Llugagji i Lipjanit dhe më pas ka ikur.
Sipas informacioneve të para, rastit tragjik i ka paraprirë një fjalosje mes të ndjerës dhe të dyshuarit që përfundoi me vrasje. Gruaja shtatzënë është vrarë me një plumb të armës së zjarrit, pasi në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur një gëzhojë.
Sinjali ka mësuar se Policia ka nisur një operacion për kapjen e tij, ndërkohë që sipas të njëjtave burime, i dyshuari ka ikur nga QKUK-ja me veturën e tij Opel Astra.