Komuna e Prizrenit ka vendosur ta mbyll lokalin, ku ndodhi përleshja, ku si pasojë një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur.
Sipas informatave mbyllja ka ardhur nga Inspektorati, pas kërkesës së policisë, që do të bëjë hetime në loka.
Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar se ka nisur hetimet për rastin e vrasjes së 31 vjeçarit nga Kukësi në afërsi të lokalit “Kobra City”. Prokurorja e rastit, Nazan Shero, ka thënë për Insajderin se janë në fazën e hetimeve fillestare dhe po intervistohen pesë të dyshuar.
“Rreth orës 5 të mëngjesit kemi marrë informatat e para për rastin. Mandej kemi marrë informacione nga Kukësi për një të vdekur dhe një të plagosur. Janë duke vazhduar hetimet” .
Policia e Kosovës ka konfirmuar se personi i ndaluar si i dyshuar për rastin është Dibran Hoxhaj, pronar I lokalit “Kobra City”, ndërsa nga prokuroria thonë se katër personat e tjerë janë pjesë e stafit të lokalit.
“Informacionet e para janë se janë pjesë të stafit. Tash a janë kamariera apo garda ende nuk e di me saktësisht”, tha prokurorja Shero.
Si ndodhi vrasja
Sot në orët e para të mëngjesit, nga të shtënat me armë zjarri ka vdekur një 31-vjeçar dhe një 27 vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sherri, në një lokal në Prizren.
Dyshohet se biznesmeni Dibran Hoxhaj, ka qëlluar me armë zjarri drejt tre të rinjve nga Kukësi, teksa ata ishin duke u larguar me makinë nga lokali.
Plumbat kanë prekur dy prej të rinjve, ndërsa i kanë marrë jetën Visart Cengut dhe kanë plagosur Rufgen Shehun.
Visart Cengu është 31 vjeçari që ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Kukësit. Ndërsa Rufgen Shehu sipas policisë ndodhet në spitalin e Kukësit jashtë rrezikut për jetën.
Shoku i tyre, Arben Basha ka deklaruar në polici se ndaj tyre ka qëlluar Dibran Hoxhaj në momentet që ata po largoheshin me automjet nga lokali.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se pronari i lokalit Kobra City, Dibran Hoxhaj është arrestuar, pasi dyshohet për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Gazetën Insajderi se së bashku me Hoxhën në stacionin policor janë shoqëruara edhe pesë persona të tjerë.