Argjentina është kampione e botës në futboll. Në finalen dramatike, Argjentina ka mposhtur Francën. Finalja e Kupës së Botës në Katar është vendosur me penallti. Argjentinasit kanë fituar 4:2 me penallti. Koha e rregullt dhe vazhdimet nuk kanë dhënë fitues (3:3). P
ër Argjentinën është titull i tretë i botës. Kështu Lionel Messi e kompleton karrierën e madhe me çmimin më të madh të mundshëm në futboll. Seria e penalltive ishte dramatike, si e gjithë ndeshja. Kylian Mbappe shënoi për epërsinë e Francës.
Messi shënoi për 1:1. Gjuajtjen e Kingsley Comanit e ndali Emiliano Martinez i Argjentinës. Paulo Dybala shënoi më pas për Argjentinën, ndërsa Aurelien Tchouameni gjuajti jashtë. Leandro Paredes i Argjentinës shënoi për 3:1, ndërsa Kolo Muani ngushtoi në 3:2. Penalltinë e fundit për Argjentinën e realizoi Gonzalo Montiel për 4:2 dhe për festën e madhe në “Lusail Stadium”. Finalja e së dielës përfundimisht ishte prej më të mëdhave në histori të Kupës së Botës. Argjentina ishte dominante në pjesën e parë dhe krijoi epërsi prej 2:0. Fillimisht Lionel Messi shënoi nga pika e bardhë në minutën e 23-të, pasi Angel Di Maria u ndal në zonë në mënyrë të palejuar.
Vet Di Maria shënoi për 2:0 në minutën e 36-të. Messi e nisi aksionin që përfundoi me gol të Di Marias.
Franca ishte plotësisht jashtë loje në pjesën e parë. Dhe për këtë selektori Didier Deschamps bëri dy zëvendësime pa përfunduar pjesa e parë.
Olivier Giroud u pa shumë i nervozuar, por rrjedha e lojës dëshmoi se vendimi i Deschampsit ishte i drejtë. Në pjesën e dytë Franca u shfaq dukshëm më e rrezikshme. Por vetëm pas minutës së 80-të siguroi barazimin.
Kylian Mbappe shënoi nga pika e bardhë në minutën e 80-të, ndërsa në minutën e 81-të shënoi supergol për të barazuar rezultatin në 2:2. Gola të tjerë nuk kishte dhe kështu ndeshja shkoi në vazhdime. Drama nuk u ndal megjithatë.
Messi shënoi gol tjetër në minutën e 108-të për 3:2. Ai shënoi nga afërsia pas një topi të ndalur nga Hugo Lloris. Ndërsa në 3:3 shifrat i barazoi Mbappe. Ai konkretizoi penallti në minutën e 118-të. Penalltia u dha për lojë me dorë në zonë. Mbappe shpallet golashënuesi më i mirë i Botërorit me tetë gola, tre prej tyre në finale. Messi mbetet me shtatë gola, por arrin synimin më të madh që kishte në karrierë. Dhe përfundimisht tani është prej më të mëdhenjve, nëse jo më i madh në histori të futbollit.
Penalltitë do të vendosin fituesin e Kupës së Botës në Katar. Pas dy vazhdimeve, rezultati është 3:3. Ndeshja skajshmërisht dramatike, do të vendoset me goditje nga pika e bardhë.