Vjedhjet e shumta janë shndërruar në një shqetësim shumë të madh për qytetarët në vendin tonë, duke shkaktuar kështu pasiguri por edhe humbje të mëdha. Të dyshuarit shpesh dalin të jenë të afërm e madje edhe anëtarë të familjes. Kështu ka ndodhur në një familje në Lipjan, ku një fëmijë ka vjedhur në shtëpinë e vet, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, Sinjali mëson se i dyshuar është një i mitur, i moshës 15-vjeçare, i cili vodhi gjësende me vlerë nga shtëpia e tij, gjysmën e të cilave i bëri ‘rrush e kumbulla’. Babai i tij e zbuloi se hajni që kreu vjedhje është i biri dhe u detyrua ta njoftojë Policinë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti u raportua sot, me ç’rast viktima deklaroi se djali i tij ka vjedhur stolitë e arit që kapin vlerën e rreth 10 mijë eurove. Me ato para, ai dyshohet se kishte blerë një motor, e pjesën tjetër e kishte shpenzuar për qejf me shoqëri. Kjo situatë e ka lënë pa fjalë babain, i cili pavarësisht se e zbuloi se djali tij ishte ai që kreu vjedhje në shtëpinë e tyre, u detyrua që ta çojë në Polici, me shpresën se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më .
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Vjedhje e rëndë”.