Shqiptari mashtron dy homoseksualë në Zvicër, ua vodhi 1.2 milion franga.
Një 25-vjeçar kishte takuar dy burra në një platformë takimesh dhe u ka vjedhur atyre 1.2 milionë franga ndër vite duke i gënjyer.
Në fillim të vitit 2018, personi që sot është 25-vjeçar kishte takuar një fermer 57-vjeçar dhe një tjetër, 58-vjeçar, transmeton albinfo.ch.
Dy personat në fjalë, njëri nga Kantoni i Cyrihut dhe tjetri nga kantoni i St. Gallenit, ai i ka njohur nëpërmjet platformës së takimeve “planetromeo” të krijuar për burra homoseksualë.
Njëri ishte i martuar tjetri i divorcuar, shkruan 20minuten.ch.
Ka pasur edhe marrëdhënie seksuale me njërin nga fermerët. Shqiptari i ka mashtruar ata duke u ankuar se ishte në vështirësi financiare. Kështu ai i kishte shkruar atyre se duhej të ndreqte dhëmbët, kishte tumor, i duhej një depozitë qiraje, i duhej kapital fillestar për një kompani me qira makinash në Shqipëri ose në Chur dhe shumë përralla të tjera. Aktakuza radhit dy duzina tregimesh të tilla.
Ai u premtonte atyre se do t’u kthente paratë sepse do të trashëgonte një shumë të madhe nga një mik, beqar ndërsa një mik tjetër, në Angli i kishte këtij 200 mijë euro borxh, përcjell albinfo.ch. Por për të marrë borxhin ai duhej të shkonte në Angli dhe kishte nevojë për para.
Presioni i tij ndaloi vetëm kur policia e arrestoi 25 vjeçarin në korrik të vitit 2022. Që atëherë ai është në paraburgim.
Në procesin gjyqësor para Gjykatës së Qarkut në Hinwil të martën, i akuzuari ka pranuar veprën. “Më falni, paratë i kam përdorur kryesisht për lojërat e fatit”, tha ai në gjyq.
Ai kishte ardhur në Zvicër si azilkërkues, në moshën 17-vjeçare. Kërkesa i qe refuzuar por ai mundi të qëndronte duke u martuar me një grua zvicerane. Tani ai është i divorcuar dhe baba i një vajze njëvjeçare. E fejuara e tij e re është zvicerane me prejardhje kosovare.