Gada Ayyan, vajza 4-vjeçare dhe babai i saj Ahmet Ayyan, janë ribashkuar pasi kishin ngecur nën rrënoja, në atë që dikur ishte shtëpia e tyre në jug të Turqisë. ‘Kur filloi të dridhet, mora vajzën dhe tërë familja filloi të ikë. Megjithatë e tërë shtëpia u shemb mbi ne’, tha Ahmet gjatë një bisede për CNN.
Për fat të keq, gruaja dhe djali 8-vjeçar nuk arritën t’i shpëtojnë më të keqes. E në ditën e katër duke qëndruar nën rrënoja, kishte thënë se po humb shpresat. Kishte dhimbje të mëdha dhe këmba i ishte lënduar rëndë. Megjithatë, ishte vajza ajo që nuk e la t’i humb shpresat dhe se do të shpëtohet.
‘Vajza vazhdimisht më fliste, baba mos qaj. Po vijnë të na shpëtojnë’, kujton ato momente Ahmet. Ajo e kishte këshilluar që të shikonte në dritën që depërtonte në rrënoja, dhe aty filluan të dëgjojnë zëra. E kuptuan se po shpëtohen.
Fillimisht u nxor Gada me disa gërvishtje të lehta. Një orë më vonë arritën ta nxjerrin edhe Ahmetin. Por ajo iu dorëzua organeve lokale kur babai i saj u dërgua në spital. Kur humbi gjurmët e bijës, ishte i bindur që sërish do ta takoj qoftë edhe gjëja e fundit që do ta bënte në jetë.
Në Facebook dhe Instagram publikoi fotografinë e saj dhe luste të gjithë ta ndihmojnë ta gjejë. Në fund, u mësua se autoritetet lokale e kishin marrë dhe se ajo është shëndoshë e mirë, por pa prindër. ‘Ajo më ka mbajtur në jetë. Është vajza ime. Heroina ime’, tha babai i 4-vjeçare e cila së bashku me të duhet të jenë më të forta pas humbjes së gruas dhe të birit.