Në moshën rinore njihej si një njeri shumë aktiv, madje puna e mbante gjithmonë në disponim të mirë. Latif Drenofci, nga Fushë Kosova, me nostalgji kujton ditët e rinisë së tij. Ai, shkollën fillore e kishte përfunduar në Sllatinë, mirëpo shkollën e mesme e kishte ndërprerë, për shkak se ajo ishte në një gjuhë tjetër, gjuhë e cila e pengoi Latifin.
Latifi, në një intervistë për ATV-në, tregoi se këngëtarin e njohur Sabri Fejzullahu e kishte pasur në klasë në atë kohë. Ai kishte probleme shëndetësore dhe me kalimin e viteve, sëmundja bëri që Latif Drenofci të ketë probleme në të lëvizur. Latifi, për këtë tha se i është mirënjohës bashkëshortes së tij që u kujdes jo vetëm për të, por edhe ajo ia doli t’i rrisë edhe 5 fëmijët që kishin.
“Ditën, maksimum 10 minuta lëvizi. Më së shumti ratë edhe tjetër kurgjo. Pesë fëmijë nuk është lehtë me i këqyr edhe më e pas bashkëshortin e sëmurë. Mirëpo, kjo u kanë aq e durueshme, ka pasur edhe vullnet. Nuk kem mujt me e ba me thanë kjo ‘valla çka me ba tash masi e kam burrin të sëmurë’”, tha Latif Drenofci. /atvlive.tv