Pas tre muajsh trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka humbur jetën 30-vjeçaja që u aksidentua në fillim të dhjetorit në fshatin Korishë të Prizrenit.
Sinjali raportoi sot se përkundër intervenimeve nga stafi mjekësor, ajo fatkeqësisht nuk mbijetoi dhe vdiq mëngjesin e sotëm. Burimet e Sinjalit nga QKU-ja kanë bërë me dije se ky rast i rëndë ka ndodhur në familjen Olluri, të cilët e morën lajmin e hidhur për vdekjen e Teutës. Teuta Olluri ishte pasagjere në njërën nga dy veturat që u ndeshën mes vete më 8 dhjetor dhe për pasojë, përveç saj u lëndua edhe një person tjetër.
Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. Për vdekjen e saj, nga spitali është njoftuar edhe Policia, me ç’rast kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i saj i është liruar familjarëve për ceremoninë mortore.