“Më falni që i mbyta prindërit, s’kam dashtë me dalë nga vetura”, daja tregon fjalët e nipit të tij që i shpëtoi tragjedisë në Lepenc.
Xhavit Visoka, vëllai i Merita Pacollit e cila së bashku me burrin e saj Naim Pacollin dhe djalin e tyre 16 vjeç vdiqën tragjikisht pasi ranë me veturë në lumin Lepenc në rrugën Shkup-Bllacë, ka treguar fjalët e nipit të tij, Shkëlqimit 21-vjeçar, i cili është i vetmi që shpëtoi.
Ai tha se nipi i tij “s’po mund ta përballojë” këtë që ka ndodhur.
“Më falni tha që i mbyta prindt. Më fal tha dajë që ta mbyta motrën”, tregoi Xhavit Visoka në Frontal në T7, të cilit lotët ia ndërprenë fjalët herë pas here.
Ai tha se nipi i tij “nuk dinte me më tregu çka ka ndodh ”.
“S’kam dashtë me dalë jashtë, tha, po qysh kam dalë s’e di”, tregoi daja i 21-vjeçarit dhe tregoi se ka qëndruar i kapur për një pemë.
“Mirë është fizikisht. Por mentalisht është keq. I duhet kohë që ta kalojë këtë”, tha ai, duke folur për gjendjen shëndetësore të nipit.
Xhavit Visoka tha se rrugës për në Maqedoni ka biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Gjatë rrugës e kam kontaktuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Veç i thashë po du me ditë a janë gjallë”.
Për vdekjen e prindërve dhe vëllait, ai tha se i kanë treguar nipit sot në mëngjes.
“I kam thanë që në spital janë familjarët tjerë… Sot në mëngjes, dalë ngadalë duke ia shpjegu… Në momentin që i kam tregu që kanë ndërru jetë, ka qenë në shok”, tha ai.