Pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës denoncohen raste të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë, të cilat përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët, apo edhe familjarët e tjerë. E në raste më të rralla, janë burrat ata që kërkojnë ndihmë si viktima të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu i ka ndodhur një burrin në Fushë Kosovë, i cili mbrëmë ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës pas dhunës që përjetoi nga bashkëshortja e tij.
Sinjali mëson se 42-vjeçari ka pohuar në stacion policor se pas një konflikti verbal me bashkëshorten, ajo ka eskaluar në dhunë fizike duke e rrahur e duke demoluar orenditë shtëpiake.
E dyshuara është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj saj kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Dhunë në familje’ dhe e njëjta është dërguar në mbajtje.