Një nënë është kritikuar nga përdoruesit e rrjeteve sociale në internet pasi një video ku ajo merr vajzën e saj të vogël në sallon me vete për të lyer flokët iu bë virale.
Demi Lucy May Engemann, e vetëshpallur “mamaja më e mirë”, publikoi në TikTok një video të saj dhe të vajzës së saj 5-vjeçare Maude në një parukeri. Ajo i lyen flokët vajzës duke ia bërë nga ngjyrë gështenjë në bjonde.
“Vajza ime më pyeti nëse mund t’i bënte flokët një ngjyrë më të çelët në mënyrë që t’i bënte më pas ngjyrë rozë”, shpjegon influencuerja nga Utah në fillim të videos, e cila mblodhi 7.7 milionë shikime në TikTok.
Në video, Maude shihet e emocionuar duke buzëqeshur gjatë gjithë procesit dhe duke shijuar kohën e saj në parukeri.
“Ajo ishte aq e emocionuar dhe ndihej kaq rritur”, lexohet në përshkrim, ndërsa Maude shihet duke ndihmuar stilisten të përziejë ngjyrën e saj dhe të bisedojë me të tjerët në parukeri.
Pasi u bë virale në TikTok, një video vijuese që tregon tranzicionin e ngjyrës së flokëve kapi 1 milion shikime në më pak se 24 orë me një gamë të gjerë komentesh.
Disa kanë komentuar se sa “argëtuese” është videoja, ndërsa të tjerë e kanë akuzuar Engemann se i ka prishur flokët vajzës së saj sepse donte një fëmijë biond.