Nga Elona Caslli
E ulur në një kafene përballë një çaji mali bie telefoni. Shoh një thirrje në whats up. Një mikeshë që është larguar prej dy vitesh në Amerikë. Përmes shumë vështirësish ia doli mbanë të mbërrinte bashkë me të shoqin dhe të birin në tokën e premtuar.
Në të gjitha komunikimet që kemi thotë se nuk ka punën që kishte këtu (punë në zyrë), por punon shitëse diku dhe pohon se nuk përjeton stresin e përmuajshëm të pagimit të faturave në fund të muajit siç e përjetonte kur ishte këtu. Është pa letra si shumë shqiptarë. ‘Kur më dhemb dhëmballa’- thotë- shkoj tek një dentist polak. Lindorët janë gjithmonë zgjidhje për lindorët.
Kur pashë thirrjen, mendova se ishte në pushimin e zakonshēm dhe po më merrte, por jo. Sapo e hapa, njē zë i mbytur në lot shqipton fjali me vështirësi. Kuptoj vetëm se i ati është diagnostikuar me kancer dhe është rëndë. Mes lotëve më pyet;
Ç’të bëj?! Po u ktheva në Shqipëri, nuk vij dot më këtu se jam pa letra. Ende nuk kam shlyer borxhet që mora për të ardhur këtu. Humbas gjithçka. Nga ana tjetër kam tim atë atje. Dua ta shoh për herë të fundit. Ta përkëdhel, ta puth.
Nuk dihet dhe sa jetë ka. Shkrehja e saj në lot derdhet mbi mua. Është si shi që më lag. E dëgjoj. Është një nga ato raste që nuk di ç’të thuash. Të kaplon veç një trishtim që ta kyç gojën. Ajo vazhdon të qajë. Lotët nuk e lejojnë të flasë më. Telefoni mbyllet. Unë rri si statujë dylli para çajit.
Post Scriptum- Kush dreqin e ka mallkuar kaq keq këtë vend që i detyron shqiptarët të ndahen për së gjalli me prindërit?!
*Titulli i origjinalit: “”Pa letra” togfjalëshi që përndjek prej dekadash shqiptarët”
ObserverKult