Reperi Gold AG u bë baba për herë të dytë disa javë më parë. Ai dhe bashkëshortja e tij u bekuan me një djalë, të cilin e ka pagëzuar me emrin Front. Së fundmi reperi në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit” ka zbuluar se ka qenë prezent në sallën e lindjes për të parë vuajtjet që kalon çdo nënë.
“Është një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë. Çfarë do që mund të them, nuk mund të them atë që ndjejë brenda në zemër. Është një kënaqësi e madhe, një dhuratë e zotit që i jam falënderues gjithmonë. Uroj që çdo çift të bëhet më fëmijë, qoftë vajzë apo djalë.
Është një ndjenjë që nuk krahasohet me asgjë tjetër. Herën e parë kur ka lind djali, Guerili ka qenë pandemi dhe nuk më lanë në spital. Ndërsa tani te djali i dytë te Fronti, kam qenë në sallën e lindjes për të parë vuajtjet e një nëne dhe me pas dhembshuri më të madhe dhe për nusen. Gjithashtu për të ditur se çfarë heq nëna kur bëhet me fëmijë”, tha reperi.
Goldi rrëfeu se ai është djalë i vetëm dhe u gëzua shumë kur zbuloi se do të bëhej sërish me djalë. “Unë jam një djalë që jam rritur vetëm me nënën, babi ka ndërruar jetë kur unë kam qenë 6 vjeç, në 1992. Nuk kam pasur as vëlla dhe as motër. Edhe kur ka ardhur në jetë djali i dytë, kam thënë djali i dytë e ka tashmë një vëlla. Jam krenar tani që i kam”, shtoi ai.