Besa Çejku Buçinca, sot dha lajmet për herë të fundit në Radiotelevizionin e Kosovës. Në fund të edicionit qendror të lajmeve, Çejku përshëndeti të gjithë shikuesit derisa foli edhe për punën e saj. Ajo tha se edicioni i sotëm ishte njëjtë sikur herën e parë që ka dhënë lajmet në Radiotelevizionin e Prishtinës.
“Ishte identik dhe i njëjtë si në ditën e parë që kam nis të lexojë lajme në RTP, si sot që mu dha rasti që edhe një herë t’i drejtohem shikuesve. Është po ai emocion”, tha ajo, transmeton Gazeta Express.
“Ajo që na mban neve dhe që na quan të suksesshëm është entuziazmi ynë, përkushtimi i madh në punë, pasioni e vullneti i madh për punë dhe mbi të gjitha ndjenja e lart e përgjegjësisë, jo nga frika por nga respekti për auditorin. Ne kemi hyrë në mbamendjen e auditorit, i cili na ka ndjek me dekada të tëra. Unë jam shumë e lumtur që këtë moment po e mbyll kështu, sidomos me këtë edicion të lajmeve”, tha ajo.
Në fund, ajo i falënderoi të gjithë shikuesit, duke thënë se edicioni i sotëm ishte “përshëndetës dhe jo lamtumirës”.