Një rast tragjik ka ndodhur në fshatin Romajë të Hasit të Prizrenit, raporton Gazeta e Prizrenit. Një fëmijë 8 vjeçar ka humbur jetën pasi është godit nga frezat e traktorit, derisa ishte në arë, me një familjar të tij, gjithashtu i ri në moshë.
Burimet bëjnë me dije se rasti ka ndodhur në familjen me mbiemrin Qenaj. Ngjarja ka ndodhur, sot rreth orës 17:30, pasi fëmija dyshohet se ka rënë nga traktori. Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia në Prizren.
Sipas policisë, derisa një fëmijë 11 vjeçar ishte duke e punuar arën, aksidentalisht fëmija 8 vjeç bie nga traktori dhe merr lëndime vdekjeprurëse nga frezat. Prokurori ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa rasti është cilësuar ‘Vdekje aksidentale’.
Rastin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi. Bytyqi ka njoftuar se fëmija ka humbur jetën pasi është goditur nga frezat e traktorit. Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, të miturit kishin lidhje familjare.
“Në fshatin Romajë, sot rreth orës 17:30, një fëmijë ka ndërruar jetë aksidentalisht pasi ka rënë nga traktori të cilin po e drejtonte një fëmijë tjetër i moshës 11-vjeçare. Rasti ka ndodhur kur ata ishin duke e punuar arën, ndërkohë aksidentalisht fëmija 8-vjeç ka rënë nga traktori dhe ka marrë lëndime vdekjeprurëse nga frezat e traktorit”, ka thënë Bytyqi.