Një rast i tmerrshëm ka ndodhur në qytetin e Pejës. Në videon e bërë virale në rrjetet sociale e media, shfaq disa infermiere në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë, teksa rrahin dhe keqtrajtojnë në mënyrë çnjerëzore një paciente.
Dy infermieret, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi dyshohet se e sulmuan gruan e moshuar brutalisht, teksa Remize Kuqi incizoi pamjet. Ato kanë përfunduar në pranga të Policisë dhe janë suspenduar, bashkë me një punëtore tjetër.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Pelaj ka deklaruar para hetuesve policorë se në ditën kritike kishte shkuar t’iu ndihmojë kolegeve të cilat po merreshin me të moshuarën (viktimën e rastit), pasi sipas saj ajo ka qenë agresive.
Dhunën që ka ushtruar ndaj saj, ajo e ka arsyetuar duke thënë se “ajo e para më ka sulmuar”, teksa ka thënë se viktima ka kaluar atë ditë kriza nervoze dhe ka shkaktuar ‘telashe’ në hapësirat e qendrës.
“Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër.“, ka deklaruar ajo.