Një ngjarje e rëndë, shumë e rëndë, ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në Prishtinë. Një burrë dyshohet ta ketë vrarë gruan e tij. Viktima, që raportohet të ishte e moshës 63 vjeçare, sipas Prokurorisë dyshohet të jetë vrarë me sëpatë.
Në bazë të raportit zyrtar të Prokurorisë, ngjarja makabre ndodhi diku në orët e para të mëngjesit të së premtes.
“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”, kanë thënë nga Prokuroria në njoftimin e saj.
Megjithatë, ende nuk dihet motivi i kësaj vrasje sipas Prokurorisë së shtetit.
“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti” thonë tutje ata.
Por, trupi i viktimës është dërguar për obduksion, gjersa burri i saj është arrestuar.
“Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, i tha Nacionales Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.
Për ngjarjen e rëndë në Prishtinë, ku mbeti e vrarë 63-vjeçarja ka folur edhe drejtori i shkollës “Dardania” ku Sanije G, vitkima, ishte arsimtare.
“Sadija i ka pasë dy-tri klasë. Ka dhanë mësim në klasat e gjashta dhe të shtata. Dje ajo ka qenë në mësim. Çdo gjë ka qenë në rregull. Asnjë simptomë nuk e ka tregu që ka ndonjë problem apo dhunë”- deklaroi drejtori i shkollës “Dardania” në Prishtinë.
Reagimet
Shumë reagime kanë ardhur pas lajmit se një grua mbeti e vrarë nga burri i saj, i cili dyshohet të jetë dorasi.
“Akt barbar vrasja e gruas 63 vjeçare, në Prishtinë. Dhimbje e trishtim pa fund!”, ka shkruar Hykmete Barajmi, deputete e LDK-së në Facebook.
Ndaj vrasjes ka reaguar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se nuk ka motiv që e shpjegon këtë çmenduri.
“Në Prishtinë, një grua në moshën 63 vjeçare vritet me sopatë nga bashkëshorti i saj. Nuk dihen motivet e vrasjes, po thonë. Sinqerisht, motiv po kërkoni a?!! Nuk ka motiv që e shpjegon apo arsyeton këtë çmenduri. Dhimbje pafund”, ka shkruar ajo.
Ndërsa aktivistja feministe Zana Avdiu shkroi se “gratë nga pas lufta” janë vrarë vetëm nga dora e familjarëve të tyre.
“Vec shihni, vet e ka një kamë në varr, e çohet e mbytë gruan e tij. Dhe, a e dini pse? Sepse kjo shoqni vendin e gruas e ka caktu të jetë objekt në shërbim të burrit. Madje edhe jetën e saj, ta ketë në dorë ai.” – vlerësoi ajo.