Mëngjesin e sotëm 63 vjeçarja Sadije Godeni u gjet e vrarë në shtëpinë e saj në rrugën “Mark Isaku”, në Prishtinë, ku vrasjen e saj me sëpatë po dyshohet se ka kryer bashkëshorti i saj Izet Godeni. i cili tashmë është arrestuar.
Fqinjët e viktimës po e konsiderojnë të pabesueshme këtë ngjarje. Familjen ku ndodhi rasti e përshkruajnë si familje shumë të mirë dhe se asnjëherë nuk kanë dëgjuar se kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje mes tyre. Për Sabrie Kataroshin fqinjë e afërt me familjen, ngjarja që tronditi Kosovën mëngjesin e sotëm, ende nuk po i besohet që ka ndodhur.
Ajo thotë se ka dëgjuar në mëngjes kur janë përplasur dyert nga Policia, por thekson se si fqinjët kanë qenë të qetë.
“Nuk po mundem me besu, shumë njerëz të mirë si burri si gruja! Jam habitë që ka ndodhur as nuk po ha e as nuk po pi, jam tmerruar! E ka mbyt po thojnë kurrë nuk kisha besu….e kam dëgju derën, policia sigurisht kanë ardhur, atëherë dera mbyll ka qenë dhe menjëherë dyert e korridorit janë përplasur që kurrë nuk i kam dëgjuar duke u përplasur, atëherë ndoshta kufomën e kanë marrë”, tha ajo.
Kataroshi po ashtu thotë se tashmë e ndjera S.G., por edhe bashkëshorti i saj kanë qenë shumë fqinjë të mirë.
Ajo tregon se qifti kanë një djalë dhe një vajzë.
“Shumë njerëz të mirë… njerëz më të mirë nuk ka pasur… çikë e djalë i kanë, djalin e kanë jashtë diku”, theksoi ajo.
E viktima 63 vjeçare S.G., ishte arsimtare e gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në kryeqytet.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhej se kjo ngjarje makabre ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.
“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”, ka thënë Prokuroria në njoftimin e saj.