Dy vajza humbën jetën në një aksident që ndodhi rreth orës 02.00 të mëngjesit të së dielës në autostradën Durrës – Tiranë. Njëra prej tyre është identifikuar si Silva Gjergji, 26 vjeçe me origjinë nga Rubiku dhe Roxhesa Klironomi.
Drejtues i automjetit ka qenë 26-vjeçari Arbër Tivari, banues në Durrës. I riu ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën. Makina e tij tip Ford, doli nga rruga dhe u përplas me trafikndarësen. Një pjesë e hekurave ka hyrë brenda makinës.
Burime nga policia thanë se të rinjtë kanë darkuar së bashku dhe më pas janë nisur për Tiranë. 26-vjeçari i plagosur do t’u nënshtrohet analizave dhe ekzaminimeve mjekoligjore për të zbuluar nëse ka konsumuar alkool apo lëndë narkotike. Dyshohet se mjeti ka qenë me shpejtësi shumë të lartë, çka ka çuar në përplasjen e fortë me pasoja të rënda.
Arbër Tivari nuk është emër i panjohur për policinë. Mediat raportojnë se në mars të vitit 2021 ai u qëllua me armë zjarri në dorë nga Alket Buçpapaj. Edhe ky po ashtu njihej si person problematik për drejtësinë. Tivari ishte arrestuar edhe më herët për shpërndarje lëndësh narkotike dhe vjedhje.