Gruaja që mbeti e vrarë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë është hospitalizuar gjatë vikendit në repartin e grave shtatzëna dhe ajo ishte në pritje të lindjes së fëmijut të parë.
Mjekët e kësaj klinike kanë bërë të ditur se në momentin e pranimit, viktima ka deklaruar se ajo është e ndarë nga bashkëshorti i saj, pasi në pyetësorin e pacienteve – grave shtatzëna që marrin trajtim në Klinikën e Gjinekologjisë është edhe kjo pyetje në lidhje me statusin e tyre.
Në lidhje me vrasjen, burime të Klan Kosovës thonë se viktima me një shoqe të dhomës – grua tjetër shtatzënë, kanë dalë që të shëtisin ku është takuar me ish-bashkëshortin e saj.
Në një moment, siç ka rrëfyer pacientja tjetër, ka parë që ata kanë pasur një konflikt verbal dhe ajo është distancuar nga ta dhe brenda këtyre momenteve janë dëgjuar të shtënat me armë.
Prokurori i rastit ka ardhur pas orës 18:00 derisa ekipet e forenzikes kanë ardhur gati një orë e gjysmë pas rastit dhe në fund është automjeti i IML-së që e ka bërë tërheqjen e trupit të viktimës.