Vetëm një javë pas vrasjes se një gruaje në moshën 60-vjeçare nga bashkëshorti i saj, Kosova mbrëmë u trondit nga një vrasje tjetër makabre e një 35-vjeçareje shtatzënë.
Vrasja që ndodhi para repartit të Gjinekologjisë në Prishtinë rreth orës 18:00, është dënuar nga shumë persona, megjithatë, fatkeqësisht janë vënë re edhe shumë e shumë të tjerë, që në një formë a tjetër kanë aluduar mbi rastin për të cilin ende nuk ka shumë detaje, e ajo që është më shqetësuese, në mënyra të ndryshme e kanë arsyetuar vrasjen e gruas dhe fëmijës së saj, shkruan Korrespodenti.
Një komentuese grua, me inicialet R.K., ka befasuar me komentin e saj për vrasjen e 35-vjeçares shtatëzënë.
“Perse me dal jasht ajo kur ka dit qe esht fajtore si a nda me burr ?ajo besoj we ka qen gjitheher agresive dhe ka dal per tju kercnu burrit ,dhe ka gjet fatkeqsin !!!”, thuhet në komentin e saj të paprekur nga redaksia.
Pas këtij komenti, R.K. ka pasur disa reagime nga komentues të tjerë, por që ajo nuk është ndalur me replika. Për shkak të etikës, nuk e kemi bërë publik emrin e saj, duke shpresuar se ajo nuk do ta përsërisë një gjë të tillë dhe do të ketë kujdes më shumë kur komenton nëpër rrjetet sociale, sidomos në ngjarje të rënda si kjo.