Babai i Sokol Halilit për T7 ka rrëfyer momentin kur djali i tij kishte shkuar në shtëpi, derisa Policia e Kosovës po e kërkonte për vrasjen e Hamide Magashit. Ai ka treguar se si ishte përpjekur që ta bindte që të dorëzohet në polici dhe që më pas të merrej ligji me të, megjithatë “s’ka pranuar diçka të tillë”.
“Erdh Sokoli sot dhe u përshëndetem. Folëm me to. Edhe tu folë kem të mërzitun. Kishe po dorëzohet në polici e tani me iu përgjigj ligjit edhe çka ta rrokë ligji, qashtu me u bo. Edhe i thash Sokol po e thirri policinë e me u dorëzu. Tha ja babë mos e thirr kërkon, se s’du me nejt gat edhe du me shkru një letër se s’u kanë faji jem”, ka thënë babai i Sokol Halilit.
Ai tutje ka treguar se si Sokol Halili i kishte thënë se dëshiron që të shkojë në Stacion të Policisë në Shtime dhe të bëjë vetëvrasje aty.
“Më tha po e shkruj një letër, unë dorëzohem në Polici të Shtimes vetë. Ja babë tha s’të marr ty. Thash pa mu s’munesh me shku. Tha babë unë i gjallë nuk dorëzohem, du me hy në oborr të stacionit të Policisë e në kerr me bo vetëvrasje”, ka rrëfyer tutje ai.
Sipas babait, Sokol Halili kishte treguar se i kishte thënë Hamide Magashit se ose do të jetonin të tre bashkë ose do të vdisnin të tre.
“Ai tha nuk dorëzohem. Ia kam dhanë besën asaj shoqes, gjallë e dekën kemi me jetu ose me dekë tret bashkë. Nuk u bind”, ka treguar babai i Sokol Halilit.
Ndërkohë, Policia e Kosovës kishte arritur që ta lokalizonte në shtëpinë e tij rreth orës 13:45. Pas dështimit të përpjekjes për ta bindur që të dorëzohet, Sokol Halili ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e tij.