Pas mbarimit të namazit të xhumasë nuk mbetet gjë tjetër prej angazhimeve të saj, veçse shfrytëzimi i orës së pranimit të duasë në këtë ditë, siç ka ardhur në hadithet e sakta.
Prej tyre: Ebu Hurejra – radiallahu anhu – tregon se ka dëgjuar Profetin – alejhi selam – duke thënë: “Në ditën e xhuma ka një orë gjatë së cilës kushdo që është duke u falur dhe i lutet Allahut për diçka, Ai i’a jep atë.”[1]
Në lidhje me caktimin e kësaj ore janë disa mendime në mesin e dijetarëve të Islamit, por dy mendimet më me bazë janë si më poshtë.
Mendimi i parë: Ora e përgjigjes së duasë është koha kur imami ulet në minber derisa të mbarojë namazi i xhumasë.
Ky mendim mbështetet në një hadith ku Abdullah bin Umer – radiallahu anhu – pyet Ebu Burden, të birin e Ebu Musa El-Esh’arij – radiallahu anhu: “A e ke dëgjuar babain tënd të thotë ndonjë gjë nga Profeti – alejhi selam – për orën e xhumasë? Ai i thotë: E kam dëgjuar atë se e ka dëgjuar Profetin – alejhi selam – të thotë: Ajo (orë) është mes kohës kur imami ulet në minber deri kur mbaron namazi.”[2]
Kjo përgjigje mendohet të mos jetë nga Profeti – alejhi selam, dhe imam Muslimi i cili e ka transmetuar është kritikuar për përfshirjen e këtij hadithi mes haditheve të Profetit – alejhi selam. Ky hadith sipas një transmetimi tjetër shfaqet si mendim i Ebu Musa El-Esh’arij – radiallahu anhu – dhe jo si fjalë profetike. Kështu citon imami i madh i hadithit Darakutni, dhe e pason atë imami i hadithit në kohën tonë sheih Albani – Allahu e mëshiroftë.[3]
Mendimi i dytë: Ora e përgjigjes së duasë është ora e fundit e xhumasë para perëndimit të diellit.
Ky mendim mbështetet tek një hadith i Xhabir bin Abdilah – radiallahu anhu – se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Dita e xhumasë është 12 orë. Nuk ka musliman që i lutet Allahut për diçka veçse Allahu i’a jep atij. Kërkojeni atë në orën e fundit pas ikindisë.”[4]
Mendimi i dytë është mendimi më i saktë i dhënë për këtë çështje, dhe kjo për disa arsye.
E para: Hadithi i Ebu Musa El-Esh’arij – radiallahu anhu – në të cilin mbështetet mendimi i parë, mund të mos jetë fjalë e Profetit por fjalë e vet Ebu Musa El-Esh’arij – radiallahu anhu. Ndërsa hadithi i Xhabirit – radiallahu anhu – është padyshim fjalë profetike, sepse nuk kritikohet nga ana e zinxhirit të transmetimit të tij.
E dyta: Ky mendim përkrahet edhe nga fjala e një sahabi të nderuar Abdullah bin Selam – radiallahu anhu, i cili e konfirmon caktimin e kësaj ore edhe te librat e mëparshëm të Allahut sepse ai njihet për diturinë e tij në lidhje me ata libra.
Ebu Hurejra – radiallahu anhu – tregon se është takuar njëherë me Kab El-Ahbar (tabi’in i njohur gjithashtu për njohuritë e tij në lidhje me librat e mëparshëm të Allahut), dhe kanë biseduar në lidhje me orën e përgjigjes së duasë ditën e xhuma. Ai tregon: “Kabi më tha: Ajo është një ditë në vit. Unë i thashë: Jo, ajo është çdo xhuma. Atëherë Kabi lexoi Teuratin dhe më tha: Të vërtetën ka thënë i Dërguari i Allahut. Pastaj takova Abdullah bin Selamin -radiallahu anhu – dhe i tregova për bisedën time me Kabin në lidhje me xhumanë, dhe se Kabi më tha: Ajo është një ditë në vit. Ai tha: E ka gabim Kabi. I thashë: Ai pastaj lexoi Teuratin dhe më tha se është në çdo xhuma. Ai më tha: Mirë e ka Kabi.
Pastaj Abdullah bin Selami tha: Unë e di se cila orë është ajo. I thashë: Ma trego dhe mos u trego koprrac ndaj meje! Ai tha: Ajo është ora e fundit e ditës së xhuma. I thashë: Si mund të jetë ora e fundit e ditës së xhuma, ndërkohë që Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Nuk rastis në atë moment ndonjë rob musliman duke u falur”, dhe ajo është kohë që nuk lejohet në të falja. Tha: A nuk ka thënë Profeti – alejhi selam: Kush ulet në ndonjë mexhlis duke pritur namazin është në namaz derisa t’a falë atë? I thashë: Sigurisht që po! Ai tha: Atëherë, kjo është.”[5]
E treta: Ora e fundit e ditës së xhuma është edhe ora kur u krijua Ademi – alejhi selam – dhe Allahu i Madhëruar i kërkoi melaikeve t’i bien atij në sexhde, siç ka ardhur në një hadith tjetër të Ebu Hurejres – radiallahu anhu – ku thuhet se Profeti – alejhi selam – ka thënë:
“Allahu e krijoi Ademin ditën e xhuma pas ikindisë, në orën e fundit prej orëve të ditës së xhuma, mes ikindisë dhe natës(në perëndim të diellit).”[6]
Kjo orë i përshtatet veçorisë më kryesore të ditës së xhuma që është: Krijimi i Ademit – alejhi selam, babait të njerëzimit. Pikërisht për këtë arsye u është dhënë atyre si kohë e pranimit të duasë.