Isak Sfeqla, personi i shumë kërkuar nga Policia e Kosovës është lajmëruar nga arratia. Përmes një bisede telefonike Sfeqla deklaroi se publikimi i fotografisë së tij si person i arratisur ia ka shkatërruar jetën pasi që ai pretendon se e ka kryer dënimin. 34-vjeçari është shpallur në kërkim që më shumë se dy javë nga Policia Rajonale në Gjilan, pasi ka arritur të ikë nga vetura e Policisë derisa po dërgohej në Qendrën e Paraburgimit.
I arratisuri Isak Sfeqla ka kontaktuar Gazetën Insajderi ‘për të rrëfyer pafajësinë e tij’. Ai pretendon se i gjithë rasti i është montuar dhe nuk është arratisur nga policia.
Në një bisedë telefonike, Sfeqla akuzon policinë që kanë “maru filma” duke ia publikuar fotografinë e tij.
Ai deklaron se ndodhet jashtë Kosovës por nuk tregon detaje se ku saktësisht.
“Kam maru filma gjaja sikur unë jam arratisur. Ata krejt për tjetër sen o vlëla. Unë jam jashtë vendit. Kërkoj nga ju me ditë arsyen pse ma kanë qit foton. Ma kanë prish jetën, jam njeri familjar. Duhet me fol përmes juve me i nal këto sene. Për kurgjo hiç ma kanë qit fotot aty. S’po di çka janë këta njerëz a janë të trent. Gjinja po vrahen e çka s’po bonjë e mu për kurgjo hiç“, tha ai.
Policia thotë se është arratisur nga vetura e Policisë derisa po dërgohej në Qendrën e Paraburgimit, por ndryshe deklaron Sfeqla.
Ai thotë se e gjithë ngjarja ka qenë për një fjalosje me dy policë për një flet arrest.
“Për një fjalosje me dy polic gjatë arrestimit tim që e kisha pas një flet arrest. Me kanë paditë e me kanë qit në gjyq. Unë kam pas me shku po ma kanë qit tani foton”, u shpreh ai.
Si thotë se e ka ‘larë’ dënimin me burg duke thënë “zero, zero jam”.
“Unë kam qenë në burg e kam la krejt zero zero jam. Unë s’jam tu i ik as ligjit as shtetit. Ma kanë prish jetën”, tha ai.
Kush është Isak Sfeqla dhe për çfarë rasti dyshohet?
34-vjeçari që është shpallur në kërkim pasi ishte kapur më 22 nëntor në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, pasi ishte në listën e personave të kërkuar për një rast të mëhershëm. Ai u ndalua derisa një njësi policore po patrullonte në atë pjesë, me ç’rast pas verifikimit rezultoi se ndaj tij kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Por gjatë arrestimit, 34-vjeçari dyshohet se kishte kërcënuar zyrtarët policorë, duke u thënë se do e shohin kush është ai në momentin që do të dalë nga burgu. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit kishte nxjerrë aktvendim atë ditë që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe më pas është bërë kërkesë për paraburgim.
Por pasi masa e sigurisë i ishte caktuar nga Gjykata, zyrtarët policorë nuk arritën ta dërgonin në qendrën e paraburgimit, pasi iu iku para syve të tyre. Kështu, i dyshuari ishte në duart e Policisë vetëm për dy ditë pasi ka arritur të zhduket sërish, duke shijuar lirinë në arrati.