Një rast i tmerrshëm ka ndodhur në Spitalin e Pejës ku një foshnje e lindur e vdekur është futur me çarçafë në lavatriçe. Javën e kaluar një grua ka lindur fëmijën e saj në javën e 32-të, për shkak të problemeve shëndetësore. Lindja është kryer me operacion dhe foshnja ishte nxjerr e vdekur, shkruan Gazeta Shneta.
Pas operacionit raportohet se foshnja është vendosur në hapësirat brenda sallës, dhe ndërkohë ishte ngatërruar me çarçafët ku bashkë me ta ishte futur në lavatriçe nga një punonjës i pastrimit. Ndërsa, lajmin për Express e konfirmoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, i cili tha se lidhur me rastin kanë filluar hetimet.
Ai e konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur kur është futur në lavatriçe.
“Po kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë, tash po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhente që kanë ndodh, a ka përgjegjësi eventuale. Po, po foshnja ka qenë e vdekur”, tha ai.