I vazhdohet paraburgimi për dy muaj të dyshuarit se ia morti jetën me sëpatë gruas së tij në Prishtinë. I është vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi Izet Godenit, i cili dyshohet se ia mori jetën gruas e tij me sëpatë, Sadijen, në shtëpinë e tyre në rrugën “Mark Isaku”, më 25 nëntor në Prishtinë.
Këtë për Express, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi. Ajo tha se i dyshuari do të qëndrojë në paraburgim deri më 25 shkurt.
“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G, për veprën vr.asje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e PTHP dhe të pandehurit I.G i ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, prej datës 25.12.2022 deri me datë 25.02.2023”, tha Gashi.
Kujtojmë se i dyshuari u vetëdorëzua në Polici rreth orës 04:40 në ditën tragjike, derisa të nesërmen [26 nëntor] ai u dërgua në paraburgim për 30 ditë.
“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.