Turqia u godit nga një tjetër tërmet i madh, me një magnitudë prej 7.8. Tërmeti ka shkaktuar mbi një mijë viktima, ndërsa numri i të vdekurve rritet me shpejtësi nga momenti në moment.
BBC citon sizmologun e njohur britanik, Stephen Hicks, që thotë se ky mund të jetë tërmeti më i madh që ka goditur Turqinë. “Mendoj se ky mund të jetë tërmeti më i madh i regjistruar në Turqi. Tërmeti i fundit më i madh ishte në dhjetor të vitit 1939, me fuqi 7.8,” tha Hicks. Por përse goditet ka shumë dhe kaq shpesh Turqia nga tërmetet?
E vendosur pranë, ose mbi disa prej vijave të thyerjes, Turqia është një nga zonat më aktive të tërmeteve në botë. Pjesa më e madhe e vendit ndodhet mbi pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes dy pllakave kryesore- asaj euroaziatike dhe afrikane- dhe pranë një tjetër pllake më të vogël, asaj arabe.
Ndërsa dy pllakat e mëdha zhvendosen, Turqia është esencialisht e shtrydhur mes tyre, thonë ekspertët. Kjo do të thotë se tërmetet dhe lëkundjet janë një përvojë mjaft e zakonshme. Autoriteti i Menaxhimit të Emregjencave dhe Fatkeqësive në vend regjistroi mbi 22 mijë tërmete në vitin 2022. Shumë prej këtyre tërmeteve janë vdekjeprurëse- më i keqi është ai më magnitudë 7.6 ballë që goditi Izmitin në vitin 1999, duke vrarë më shumë se 17 mijë njerëz.