Pas disa ditësh trajtim në QKUK, mëngjesin e sotëm humbi jetën punëtori i moshës 30-vjecare i cili ra nga kati i 10-të ku punonte në Fushë Kosovë. Ky lajm ka tronditur familjen Rrustemi, kur morën vesh se Rifati nuk ka arritur t’iu bëjë ballë plagëve, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se Rifat Rrustemi vdiq mëngjesin e sotëm në QKUK. Për vdekjen e Rifatit ka njoftuar edhe familja e tij.
“Njoftim! Sot me daten 11.02.2023 ndrroj jete vellai im Rifat Rrustemi. Rreth ceremonis se varrimit ju informojm neser”, shkruan familja në njoftim.
Ndryshe, pronari i kompanisë “Qlirimi”, Nazir Xhema kanë rënë në prangat e Policisë, si i dyshuar për këtë rast si dhe Rasim Voca pronari i kompanisë “Voca Dekor” përgjegjëse për skelet e vendosura në objektin ku u lëndua viktima.
Xhema dhe Voca të hetohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
30-vjeçari ka rënë nga kati i dhjetë i objektit banesor ‘Model Slovenia’ që është në ndërtim e sipër dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore bashkë me Inspektoratin e Punës, ku kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Kujtojmë se muajve të fundit ka pasur disa raste tragjike të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e lëndimeve në vendet e punës. Ndonëse këto raste janë në rritje, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës. /GazetaSinjali/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.