Djali/vajza ime ka të gjitha 5-sa dhe është nxënësi/ja më i/e mirë në klasë! Është mburrja që sot në Kosovë çdo prind ka për fëmijën e vet, por në fakt është edhe dëmi më i madh që ju shkaktohet fëmijëve.
Të gjithë jemi dëshmitarë të mbledhjeve me prind, ku suksesi i nxënësve ju kumtohet prindërve. Pothuajse të gjithë nxënësit mesatarë dhe të mirë notohen me 5-sa deri në klasën e 6-të. Dallimi dhe diskriminimi bëhet te një përqindje më e vogël e nxënësve të cilët janë më problematikë apo më “rebelë” e të cilët vlerësohen me nota 4 ose me 3 gjatë ciklit të shkollës fillore të ulët.
Në fakt këta nxënës padrejtësisht lihen prapa nga mësuesit/arsimtarët të cilët nuk punojnë shumë me ta duke i konsideruar si nxënës të dobët. E të tillët më vonë pasi përfundojnë shkollën e mesme, fillojnë biznese të vogla apo punojnë në ndonjë punë, e që shpeshherë dalin të jenë më të suksesshëm se “nxënësi më i mirë” i vlerësuar nga mësuesit me të gjitha 5-sa.
Për dallim nga vendi ynë, në Finlandë vendi me sistemin më të avancuar të shkollimit, fëmijët nuk notohen në gjashtë vitet e para të shkollimit.
Në fakt sistemi i shkollimit finlandez i vlerëson barabartë si fëmijët me inteligjencë shumë të lartë ashtu edhe ata të cilët janë më dembelë dhe kanë ngecje në mësime.
Realisht “të dobëtit” që vlerësohen në Kosovë, atje çmohen dhe punohet me ta deri sa të arrihet rezultati maksimal që ata mund të arrijnë.
Sipas një studimi, konkurrenca në moshën e re dhe synimi i notave të mira nga nxënësit largon fokusin e fëmijëve nga pasionet dhe kthen vëmendjen vetëm te përgatitja e tyre për të arritur notat e larta në lëndët ku ata fëmijë ngecin.
Kjo shkatërron ambicien, shpirtin krijues dhe shpesh herë sjellë edhe stres dhe orientim të fëmijëve në marrjen e të gjitha notave 5-sa, përderisa lëndët që fëmijët i duan janë të fundit në listën e prioriteteve që ata i vendosin vetes.
E në sistemin finlandez, duke mos e pasur brengën e notave, fëmijët mësojnë dhe punojnë në atë që ata e duan më shumë duke treguar sukses në jetë pasi ata përfundojnë shkollimin.
Duke qenë të barabartë, Finlanda nxjerrë kuadro të suksesshme dhe profesionistë në të gjitha sferat e jetës.