Elif Akyol, e cila bashkë me dy djemtë e saj u nxorën të gjallë në tërmetin e 6 shkurtit me qendër në Kahramanmaraş, po përjeton trishtimin e humbjes së bashkëshortit të saj i cili gjatë tërmetit mbuloi me trupin e tij atë dhe fëmijët.
Akyol jetonte në katin e 5-të një ndërtese me pesë kate në lagjen Egemenlik në rajonin Dulkadiroğlu në Kahramanmaraş. Ajo u nxor nga rrënojat e gjallë bashkë me dy fëmijët 13 dhe 23 vjeç të cilët tashmë jetojnë në “qytetin tendë” në lagjen Karacasu Karaziyaret.
Elif Akyol, e cila gjatë tërmetit humbi bashkëshortin e saj Yusuf, në një prononcim për Anadolu tha se bashkëshorti i saj festoi rastësisht më 4 shkurt ditëlindjen të cilën e kishte më 8 shkurt.
“Burri natën e tërmetit bisedoi gjatë e gjatë me djalin. Atë natë zhvilloi një bisedë të cilën nuk e kishte bërë ndonjëherë deri atë kohë. Më pas unë u shtriva për të fjetur ndërsa ai vetë jo. Flinim në një dhomë për shkak se shtëpia jonë ngrohet me sobë dhe më pas dëgjova një zhurmë. Gjatë kësaj isha shtrirë pranë sobës. Gjatë tërmetit bashkëshorti im foli dhe më pas u hodh duke na mbuluar me trup mua dhe fëmijët”, tha Akyol.
– Babai humbi jetën duke puthur fëmijët e tij
Akyol tha se bashkëshorti i saj u bë mburojë për ta dhe se rrënojat ranë mbi atë. Duke shpjeguar se bashkëshorti e mbuloi atë dhe fëmijët me krahët e tij, Akyol deklaroi:
“I përqafoi Muhammet-in dhe Kadir-in. Ndërtesa u shemb pa thënë ‘tërmeti përfundoi‘. Dëgjova një zë nga bashkëshorti dhe djali më tha ‘ishte momenti i vdekjes së babait‘. Burri im teksa përqafonte fëmijët sikur dha lamtumirën e fundit. E thërrita ‘Yusuf, Yusuf pse nuk bën zë‘ por nuk mu përgjigj. Më pas djali më tha ‘nënë po mbytem, nuk marr dot frymë, më shpëto‘. Në atë moment në shpinë ndjeva një gjë, kisha dhimbje që ma shkaktonte zjarri i sobës. Kisha dhimbje por nuk ua tregoja djemve, kisha shumë dhimbje por nuk ua tregoja që ata të mos e dinin. Djemve u thash se ‘ne jemi mirë por nuk ka zë nga babai’”.
Më tej Akyol shpjegoi se nga rrënojat shpëtuan pas 3 orë punime nga qytetarët dhe se tashmë trajtohen për plagë të ndryshme.
Akyol thotë se ajo dhe fëmijët e saj janë në gjendje të mirë. “Bashkëshorti im ishte një baba shumë i mirë. Të gjithë e dinë këtë. Asnjëherë nuk ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij dhe ishte bujar. Paratë nga puna nuk përpiqej t’i kursente. Bënte sakrificë të madhe”, tha ajo.