Shpesh herë modernia shihet si një kërcënim për tradicionalen. Zhvillimi i shoqërisë por edhe i teknologjisë ka sjellë prej kohësh shfaqjen e profesioneve të reja, ndërsa ka reduktuar të tjera që kanë ekzistuar në të kaluarën. Të qenurit zanatçi siç e thonë gjirokastritët, po bëhet çdo ditë e më shumë e rrallë. Mes shumë zanatesh, ai i këpucëbërësve po humbet me kalimin e kohës.
Dikur në qytetet shqiptare, kryesisht në zonën muzeale aty ku dhe lëvrohej jeta e tregtia, ndër punishtet e ndryshme të artizanëve që thurnin dhe tregtonin punimet e tyre, një vend të rëndësishëm zinin dhe këpucarët. Mjeshtrit e dikurshëm, zanatçinjtë e vjetër që pushtonin pazarin, dhe zhurma e makinës së qepjes dëgjohej kudo duke treguar prezencën e tyre.
Burra të vjetër me duart e arta, ku pas tyre shkonin djelmoshat që kishin pasion apo ndjenin nevojën për të mësuar një zanat. I ndiqnin nga pas për të përfituar qoftë dhe diçka sado të vogël, një mësim që do u shërbente për të ardhmen. Por me kalimin e viteve, ky zanat po shkon drejt shuarjes.
Sot në qytet janë të paktë zanatçinjtë, të cilët vazhdojnë të merren me këtë punë ndërsa mosha e vuajtjet u lexohen në rrudhat e fytyrës. Por pavarësisht kësaj ata vazhdojnë të mos heqin dorë nga zanati. Ajo çka u mbetet peng, është fakti që nuk mund të lënë dot pas trashëgimtarë në këtë zanat, që ata i kushtuan pasionin dhe jetën.
Bujar Zymberi është këpucëtar i respektuar në Drenas. Kameramani i njohur Elmi Pasjaqa ka publikuar disa foto nga aktiviteti i Zymberit i cili gëzon respektin e drenicasve prej kohësh. “Secili prej nesh së paku një herë kemi kryer shërbime tek ky këpucëtar”, ka shkruar Pasjaqa sipër fotografive. Bujari është një profesionist që e punon këtë zanat me shumë pasion./DrenicaOnline/