Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje.
E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali. Së fundi Policia ka intervenuar edhe në një familje në rrugën ‘Hoxhë Kadri Prishtina’ në kryeqytet, si rezultat i denoncimit të një gruaje.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 40-vjeçarja ka deklaruar se ka telashe me kunatin e saj, me të cilin jetojnë në një shtëpi pasi që bashkëshorti i viktimës ndodhet nën masën e paraburgimit.
Sipas saj, i dyshuari nuk ia ka hapur derën e shtëpisë kur është kthyer në shtëpi dhe si rezultat i kësaj ajo ka denoncuar rastin në Polici, ku ka akuzuar kunatin e saj për dhunë psikike. I dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij rasti është iniciuar ‘Dhunë në familje’.