Imami i Obiliqit, Behar Mjekiqi është denoncuar të martën në Polici nga e dashura e tij për dh.unë fizike. Për rastin e Mjekiqit për Gazetën Insajderi ka kontaktuar kryeimamin e Obiliqit, Izedin Krasniqi, për të kuptuar se cili është qëndrimi i tyre si Bashkësi Islame.
Ai konfirmoi se është takuar me hoxhën por që nuk di detaje të rastit.
“Nuk kemi kurrfarë njohurish për këtë që po më pyet, aq sa dini ju di edhe unë personalisht. Po jemi takuar (me Behar Mjekiqin) kemi pasur mbledhje dhe njësoj siç dini ju dimë edhe ne, asgjë më shumë”, tha Krasniqi për Insajderin.
Duke pasur parasysh që imami, Behar Mjekiqi është i martuar dhe ndërkohë është kuptuar se ka bashkëjetuar edhe me një grua tjetër, kryeimami është pyetur se si e parasheh feja myslimane këtë veprim të Mjekiqit.
Krasniqi nuk ka hezituar ta cilësojë si tendencioze, pjesën e referimit si “e dashura” e hoxhës.
“Nuk kam koment më shumë për këtë çështje, kjo mendoj që është tendencioze nuk kam diçka më shumë me thënë. Por kjo pjesa e dashura, e ç’dashura, ku ta di unë më shumë nuk mundem asgjë me thënë. T’i lëmë organet e hetuesisë ta bëjnë punën e tyre, edhe le të del e vërteta në shesh të jemi të gjithë okej”, tha kryeimami.
Ashtu siç edhe bëri thirrje kryeimami i Obiliqit organet e drejtësisë tanimë veçse kanë filluar të merren me rastin e Behar Mjeqiqit, për të cilin janë ngritur dyshimet se me ndihmën e komandantit të policisë atje e ka mbyllur rastin.
IPK ka nisur hetimet ndaj zyrtarëve policorë
Nga Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për Gazetën Insajderi deklaruar se veç kanë nisur të grumbullojë informacione në lidhje me dyshimet e raportuara në media.
IPK thotë se tashmë ka pasur kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë, përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se IPK sipas detyrës zyrtare (ex officio) ka filluar të grumbullojë informacione pas publikimit të lajmit në medie lidhur me këtë rast. Krahas grumbullimit të informacioneve nga hetuesit e IPK-së janë ndërmarrë edhe veprime hetimore konkrete që kanë përfshirë kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit. Veprimet tjera do të ndërmirren bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IKP-së dhënë Insajderit.