E shtuna ishte ditë tragjike për familjen Qovanaj nga Prizeni pasi në një aksident trafiku u përfshi djali i tyre i cili humbi jetën tragjikisht në Çagllavicë të Prishtinës, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Albër Qovanaj që ishte duke e drejtuar makinën. Sipas informacioneve të para, dyshohet se aksidenti është shkaktuar si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.
Burime e Sinjalit njoftojnë se Qovanaj nuk ishte i vetëm në veturë. Ai ishte në shoqërinë e shokut të tij. Sipas informacioneve të para, shoku i të ndjerit është dërguar në gjendje të rëndë në QKUK.
Ndërsa, në lidhje me këtë rast, tashmë është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.