Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje pasdite në fshatin Lubiçevë të Prizrenit, ku një grua dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren kanë bërë me dije se 31-vjeçarja është dërguar atje në gjendje të rëndë, pasi dyshohej se kishte konsumuar preparate higjienike (domestos).
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e sa shëndetësore është stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet, ajo është hospitalizuar që të jetë nën përkujdesjen e mëtutjeshme të mjekëve.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me bashkëshortin e viktimës, pasi që vetë ajo nuk ka qenë në gjendje të deklarohet.
Nuk dihet ende motivi që mund të ketë shtyrë viktimën të bëjë këtë veprim, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje në tentativë’.