Ka arritur në shtëpinë e familjes së saj në fshatin Llugaxhi arkivoli i Hamide Magashit, e cila u vra para dy ditësh nga bashkëshorti i saj. Familjarët e së ndjerës mes lotësh janë përshëndetur me të për herë të fundit.
Varrimi i së ndjerës do të bëhet në orën 13:00, në varrezat e fshatit. Në vendngjarje ndodhen edhe patrullat e Policisë së Kosovës.
Kujtojmë se vrasja makabre është kryer të mërkurën rreth orës 18:00, në oborrin e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Viktima është Hamide Magashi, një 35-vjeçare që ishte në javën e 41’të të shtatzanisë. Ajo është vrarë para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë, ku kishte shkuar për të kryer lindjen.
I dyshuari për vrasje është Sokol Halili, me të cilin viktima ishte divorcuar. Pas vrasjes, ai ka ikur dhe ende ndodhet në arrati. Dje gjatë ditës është raportuar se është gjetur vetura e tij në sheshin “Ahmet Shtimja” në Shtime, por jo edhe ai. Pak më vonë, Policia e Kosovës ka dalë me një kërkesë për bashkëpunim, ku u ka kërkuar qytetarëve ndihmë për arrestimin e Halilit.