Fermeri, Muharrem Hoçja nga Gramza e Krujës u detyrua t’i zëvendësonte shqiptarët me pakistanezë. Prej dy muaj në këtë fermë punojnë tre shtetas pakistanezë. Një punon në bujqësi dhe të tjerët kujdesen për lopët. Flasin pak e punojnë shumë.
“Trajtohemi mirë këtu, ushqimi është i mirë dhe dhoma ku jetojmë ka kushte të mira.” “Kam pak javë që kam ardhur këtu. Do punoj një vit.” Punëdhënësi i tyre tha se ka plotësuar të gjitha dokumentet dhe 3 punëtorët kanë marrë leje punësimi. Ai thotë se të huajt janë më punëtorë se vendasit dhe i ka përzgjedhur bazuar në nevojat që ka.
Shiko videon:
“Po bëj një stallë bashkëkohore kam pasur punëtorë vendas, ju punonte mendja vetëm jashtë shtetit. Të gjithë që vijnë nga Pakistani janë më viza dhe me kontrata pune. I kërkova në bazë të specialiteteve që kanë. Për mjelje, për pastrim, për ti shërbyer lopës.” tha ai për Abc.
Hoçja thotë se ju ka lehtësuar dhe kushtet e punës.
“Në Pakistan kam informacion se lopët i mjelin me dorë, këtu ju kam siguruar makineri. Ju kam bërë mencë, vendet e fjetjes. Jam shumë i kënaqur. Ju bëj program ata e zbatojnë me përpikmëri. Janë shumë korrektë.”
Sipërmarrësi ka dhe një fasoneri. Ka menduar të punësojë në fabrikën e këpucëve zanaçinj të huaj.
“Porosi kam shumë, punë kemi sa të duash, punëtorë s’ka. Kam dy klientë në Itali duan punën, po puna pa punëtorë nuk bëhet. Gjithë fasoneritë në Krujë kemi biseduar, të gjithë qahen dhe më pyesin si ti marrim të huaj. Largohen shqiptarët, shtoj pakistanezë se s’mund të rrimë pa punë.”
Muharrem Hoçja për të përmbushur kërkesat e porositësve nga Italia ka vendosur të punësojë 50 shtetas të huaj.