Ditë më parë, imam nga Prishtina, Labinot Maliqi, në profilin e tij në facebook, kishte publikuar një hadith të profetit Muhamed, ku thuhet “Shumica e banorëve të Xhenetit janë të varfrit, ndërsa shumica e banorëve të Xhehnemit janë gra!”.
Gazeta Korrespodenti kishte bërë një artikull lidhur me këtë postim të imamit Maliqi, artikull ky që mori qindra reagime në faqen e gazetës në Facebook, ku kishte opinione nga më të ndryshmet nga përdoruesit e rrjeteve sociale.
Lidhur me këtë postim, së fundmi ka reaguar edhe teologu Drilon Gashi, i cili përmes një postimi në profilin e tij në facebook, e ka pranuar faktin se ekziston, siç e quan ai, një gojëdhënë profetike që thotë se “gratë janë shumica e banorëve të xhehenemit”, mirëpo i njëjti hadith, sipas Gashit, nuk ka asnjë bazë në Kuran.
“Në Kuranin famëlartë, shumica e krimeve, padrejtësive, vrasjeve, arrogancës dhe të gjitha aktet e tjera të mosbindjes burojnë nga burrat, dhe Kurani i Shenjtë është I mbushur me këtë. Për fat të keq, shumë hoxhallarë po mashtrohen duke mos ja paraqitur këto hadithe kontradiktore Kuranit fisnik”, ka shkruar teologu Drilon Gashi.
Ai, në këtë reagim, ka thënë se janë pikërisht burrat që gjatë gjithë historisë njerëzore kanë derdhur gjakun padrejtësisht.
“Burrat gjatë gjithë historisë njerëzore më së shumti e kanë derdhur gjakun padrejtësisht; kanë qenë më të korruptuarit dhe më tiranët; më së shumti i kanë përgenjështruar profetët, etj. Mos harroni se Zoti është i drejtë dhe i mëshirshëm, dhe shpërblimi është sipas lodhjes dhe dhimbjes suaj. Kurani ka thënë: (Atë ditë do të pyeteni për dhuntinë), jo për Xhehenemin!”, ka shkruar Gashi.
Postimi i plote i teologut Drilon Gashi, pa ndërhyrjen e redaksisë:
Ekziston një gojëdhënë profetike që thotë se “gratë janë shumica e banorëve të xhehenemit.”
Mirëpo ky hadith nuk ka asnjë bazë në Kuran. Përkundrazi, Kurani vet e tregon të kundërtën.
Qysh?
Në Kuranin famëlartë, shumica e krimeve, padrejtësive, vrasjeve, arrogancës dhe të gjitha aktet e tjera të mosbindjes burojnë nga burrat, dhe Kurani i Shenjtë është I mbushur me këtë.
Për fat të keq, shumë hoxhallarë po mashtrohen duke mos ja paraqitur këto hadithe kontradiktore Kuranit fisnik.
Shumica e vargjeve kërcënuese kuranore flasin decidivisht kundër burrave. Në anën tjetër, gratë janë ato që vuajnë më shumë; janë më durimtaret; më të mëshirshmet; atyre ju bëhet më shumë zullum, etj.
Kjo mund të llogaritet edhe me shifra.
Si?
Burrat gjatë gjithë historisë njerëzore më së shumti e kanë derdhur gjakun padrejtësisht; kanë qenë më të korruptuarit dhe më tiranët; më së shumti i kanë përgenjështruar profetët, etj.
Mos harroni se Zoti është i drejtë dhe i mëshirshëm, dhe shpërblimi është sipas lodhjes dhe dhimbjes suaj. Kurani ka thënë: (Atë ditë do të pyeteni për dhuntinë), jo për Xhehenemin!
Gratë kanë qenë shpesh në Xhehenem, që nga fillimi i historisë njerëzore, dhe ato i janë nënshtruar persekutimit, nga afër dhe larg.
Shihni historisë; qoftë nga Kurani apo nga realiteti!
Drejtësia dhe mëshira e Zotit nuk ja bashkojnë njeriut dy ferre, në këtë botë dhe në ahiret. Prandaj, gratë janë banorët më të shumta të Xhenetit, e burrat janë shumica e banorëve të Xhehenemit.
Kurani përmend me dhjetëra shembuj të popujve të tokës që i kanë mohuar të dërguarit.
Kush janë ata sipas mendimit tuaj?!
Burra apo gra?
Merrini kombet që përmendin librat e shenjtë; popullin e Nuhut (Noas), popullin e Ibrahimit (Abramit), popullin e Musait (Moisiut)… etj.; Të gjithë kombet jobesimtare, gënjeshtare dhe të korruptuara janë udhëhequr nga burrat dhe pasuesit dhe ushtria e tyre ishin burra!
Kujtoni faraonin zullumqar dhe popullin e tij, për shembull. Në anën tjetër, gruas së tij i është premtuar shtëpia e xhenetit.
Mos e harroni as Karunin, Hamanin, Haxhaxh bin Jusuf Thekafiun, Kalifët Umejadë dhe Abasidë e deri të Sulltanat Turqë, Holakun e Hitlerin! Sipas kësaj krahaso!
Merrni biografinë e Profetit tonë; Cilët ishin udhëheqësit e pabesisë dhe hipokrizisë, burra apo gra?
Sa nga ata dhe sa nga ato?
Rrezltati: Shumica e xhenemlive burra.
Merrni edhe realitetin e njerëzve të epokës moderne; Kush janë bosët e luftërave dhe ushtarët e tyre? Kush po vret miliona viktima?
Burrat apo gratë?
Shumica e banorëve të Xhehenemit janë burra.
Po, është e vërtetë që edhe gratë mund të jenë kriminele, vrasëse etj.; por shumica e krimeve sot bëhen si shkak i burrave, jo grave.
Që nga historia e lashtë e bijve të Ademit e deri te kjo modernja, shumica dërrmuese e vrasësve dhe prishësve janë padyshim burra.
Pa dashur të zgjatëm, por nëse krejt kjo është e vërtetë, atëherë si duhet ta shkojmë një gojëdhënë të tillë që i atribuohet profetit Muhamed, dhe si duhet ta zbatojmë atë, kur ajo në mënyrë të qartë e kundërshton Kuranin dhe atë që dihet nga historia dhe realiteti?
I ankohemi Zotit për të gjithë ata hoxhallarë të mashtruar nga shejtani, të cilët me apo pa dije e kanë braktisur Kuranin dhe po përpiqen që bijtë e devotshëm të Ademit – që në këtë rast janë gratë – t’i bëjnë ta urrejnë Zotin dhe profetin e Tij.
Sa i përket kritikës së hadithit nga ana akademike e shkencës së Xherhit dhe Tadilit, shkrimi zgjatet, por shkurtimisht gojëdhëna është një hadith i vetmuar (ahad), i denoncuar (munker) dhe jo koherent (mutehafit) gjithashtu. Hadithi është transmetuar nga tre rrugë dhe të gjitha janë të dobëta, sipas metnit dhe senedit.
Shtoja kësaj që shumica e këtij rangu të trilluar të haditheve kundër Zotit dhe të Dërguarit të Zotit, janë shpikur e trilluar nga burrat. Nuk i shfajësojmë gratë; sepse shumë pak nga ato kanë qenë raportere.
Kaq kisha në këtë shpejtësi!
Kujtojmë se imami i njohur nga Prishtina, Labinot Maliqi, njihet për opinionin si një hoxhë i moderuar, i cili është mjaft aktiv në skenën mediatike në vend. Ai, së fundmi kishte edhe kërcënime për jetë nga një ekstremist nga Maqedonia, për shpjegimet e tij më liberale të islamit. Por, i njëjti, shpesh herë bën edhe disa postime, të cilat për këndvështrimin kohorë, mund të duken ekstremiste apo edhe të keqkuptohen.