Helmimi i 12 kosovarëve në Shëngjin – Ky është Hoteli ku po qëndronin
Dje në orët e hershme të mëngjesit u raportua se 12 kosovarë janë helmuar në një hotel në Shëngjin ku po pushonin.
Kosovarët të cilët paraqitën probleme shëndetësore, po qëndronin në “Hotelin Frojd” në Shëngjin.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Hotelit Frojd, të cilët e mohuan se ka qenë helmim, dhe për dallim nga Spitali i Lezhës thanë se vetëm pesë persona ishin sëmurë për arsye të ndryshme.
“Nuk është e vërtetë që janë helmuar, ne në hotel kemi 170 persona, 5 persona ishin të sëmurë për arsye të ndryshme. I kemi dërguar në spital, jo se janë sëmurë nga ne”.
Ndërsa Autoriteti i Kontrollit Ushqimor në Lezhë ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për helmim nga ushqimet, por për një problem me preparatin e përdorur për dezinfektimin nga mushkonjat, pasi dyshohet se ka qenë i fortë por ndërkohe mund të ketë ndikuar edhe mungesa e energjisë elektrike (ka munguar energjia prej orës 4-6:30 të mëngjesit) dhe temperaturat e larta që ndikimi të jetë më i madh.
E përkundër AUK në Lezhë, nga Hoteli Frojd, thanë për Insajderin se nuk ka pasur helmim nga dezinfektimi për mushkonja, pasi që një procedurë e tillë është kryer në prill të këtij viti.
“Dezinfektimi është bërë në prill, si çdo vit”, deklaruan nga stafi i hotelit për Insajderin.