Osman Demirel shpëtoi nga tërmeti sepse ishte në turnin e natës. Ai me mjetet e tij arriti ta nxjerrë gruan nga rrënojat. Megjithatë, Sümeyye Demirel (21), Abdülbaki Demirel (15) dhe Abdürrahim Demirel (10) nuk mbijetuan.
Një dëshmi e trishtë e një babai që humbi 3 fëmijët e tij nga tërmeti vjen nga Turqia. Osman Demirel, një banor i qytetit të Kahramanmarasit, tha se është lakmia e njerëzve ajo e cila e rriti shkallën e fatkeqësisë natyrore në Turqi.
Teksa shpjegoi dhimbjen e madhe që ka përjetuar, Demirel e drejtoi gishtin drejt njerëzve për këtë tragjedi: “Ne jemi bërë viktima të lakmisë dhe ambicieve tona”, tha ai. Duke shtuar: “Kemi paguar mijëra lira për shtëpitë që nuk vlejnë aq shumë. Prandaj jemi bërë viktima të mosmirënjohjes dhe lakmisë sonë. Zoti na kujtoi se është pronar i pronës”.
Si pasojë e tërmetit ndërtesa 6 katëshe ku banonte familja e tij, u shkatërrua plotësisht. Demirel, i cili banonte në atë pallat, mundi t’i shpëtonte tragjedisë pasi ishte në punë në atë orar.
Tre fëmijët e tij humbën jetën në rrënoja, ndërkohë që gruaja e tij shpëtoi vetëm me disa lëndime të lehta trupore.
Si pasojë e tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin, Turqia ka regjistruar mbi 38 mijë viktima dhe mijëra të tjerë të plagosur.