Futbollistit mitrovicas, Erion Kajtazi sot iu dha lamtumira e fundit. Mes lotëve e dhimbjes, 17-vjeçari u varros sot në fshatin në Zasellë të Mitrovicës, iu dha lamtumira e fundit Erion Kajtazit, futbollistit të Kosovës U17 dhe Trepçës ’89 që humbi jetën pas sulmit në zemër të shtunën.
Përveç familjarëve, në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe bashkëlojtarët e Kajtazit. Lajmin për vdekjen e hershme të Erionit ka tronditur gjithë qytetin e Mitrovicës. Kajtazi cilësohej si një nga lojëtarët me premisat më të mëdha për të depërtuar në futbollin evropian.
“Thellësisht i tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit të FC Trepça’89 dhe anëtarit të ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, Erion Kajtazi. Një lajm që na tronditi dhe preku zemrat e gjithsecilit prej nesh si komunitet i futbollit, por edhe opinionin e Kosovës në përgjithësi. Vdekja e parakohshme i ndali në gjysmë ëndrrat e tij rinore dhe futbollistike. Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi. Erioni ishte talent i jashtëzakonshëm, por sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës, e për jetuar përgjithmonë i freskët në kujtimet e familjes, bashkëlojtarëve dhe tërë komunitetit të futbollit. Në këtë ditë të rëndë pikëllimi, në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit, dua t’ua përcjell ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe bashkëlojtarëve e miqve të Erionit. Sot, i gjithë komuniteti i futbollit, e nderon dhe e kujton me lot në sy djaloshin shembullor dardan!
Lamtumirë Erion!”, ka shkruar dje presidenti i FFK’së, Agim Ademi.
Pamje nga varrimi: