Iu dha lamtumira e fundit mësimdhënëses që dje u vra nga bashkëshorti i saj në Prishtinë. S.G u varros sot në orën 14:00 në varrezat e qytetit, në Dragodan. Viktima 63 vjeçare S.G., ishte arsimtare e gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në kryeqytet. Prokuroria Themelore dje informoi se ngjarja ndodhi në orët e hershme të mëngjesit.
“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”, ka deklaruar dje Prokuroria përmes komunikatës. Lidhur me këtë rast, pati reagime të shumta.
Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se burri, dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë. Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar rrethanat e këtij rasti”, thuhet tutje në komunikatë.