Imami Ahmed Kalaja, ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi të Andrew Tate, duke e shoqëruar me një lutje që Zoti ta “ruajë e mbrojë”, pas arrestimit në Rumani. Por çfarë e bën skandaloz publikimin e hoxhës?
Andrew Tate, është një influencier i cili aktualisht ndodhet në qeli bashkë me të vëllanë, pasi dyshohen se kanë formuar një grup kriminal për trafikimin e qenieve njerëzore, abuzim me vajzat dhe përdhunim.
Tate, është mjaft i njohur në rrjetet sociale si influencier, që kryesisht u drejtohet meshkujve, por u bllokua nga disa prej platformave më të mëdha të rrjeteve sociale, për shkak të deklaratave mizogjene dhe nxitjes së urrejtjes.
Të gjitha dyshimet për vepra të rënda kriminale, që rëndojnë mbi 36 vjeçarin, nuk e kanë penguar hoxhën shqiptar Ahmed Kalaja, që të shprehë mbështetjen për Tate në rrjetet sociale.
“Zot ruaje e mbroje habibin! Amin!”, shkruan Hoxha. “Habib”, do të thotë person i dashur në arabisht. Ahmed Kalaja është imam në Xhaminë Dine Hoxha dhe mban rregullisht ligjërata të cilat i publikon edhe në rrjetet sociale. Ai merr pjesë edhe në debate televizive.
Pak kohë më parë, Kalaja iu bashkua grupimit të formuar nga pastori Akil Pano, një “koalicion” që pretendon se ka për qëllim të “mbrojë familjet shqiptare” dhe “vlerat tradicionale”.