Imam inga Prishtina, Labinot Maliqi, përmes një postimi në faqen e tij në facebook, ka reaguar lidhur me vrasjen e mbrëmshme që tronditi vendin, ku 35-vjeçarja Hamide Magashi, e cila ishte shtatëzën, është qëlluar për vdekje nga ish-burri i saj, Sokol Halili.
Maliqi, në postimin e tij ka thënë se disa vjehrri janë shkaktarët kryesorë për konfliktet e shkaktuara tek çiftet e reja.
“Zoti i udhëzoftë disa vjehrri (të djalit e të qikës), të cilët janë nxitësit dhe shkaktarët kryesor për konfliktet e shkaktuara tek çiftet e reja. Shpresoj që vrasja e fundit t’ua hap sytë vjehrrive, e sidomos djemve e vajzave që duanë të martohen, apo veqse janë në prag të saj. Në disa raste, jo vetëm e preferuar, por është edhe obligim që bashkëshortët e rinjë ta ndërtojnë folenë e tyre të pavarur nga të tjerët”, ka shkruar imami Labinot Maliqi, transmeton Korrespodenti.
Kujtojmë se dorasi Sokol Halili ende është në arrati, ndërkaq policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për kapjen e tij.
Ndërkaq sot në Prishtinë ka nisur protesta kundër vrasjes së grave. Kjo protestë organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Qindra protestues janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku po kërkojnë përgjegjësi institucionale për vrasjen e djeshme.
“Polici jeni bashkëfajtorë në vrasjen e grave”, “Edhe sa thirrje të humbura”, janë disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët po marshojnë drejt Prokurorisë së shtetit, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë. /Korrespodenti