Inspektorati Policor i Kosovës i ka arrestuar katër zyrtarë policorë për përfshirje në rrahje pas një mosmarrëveshjeje në trafik me tre qytetarë më 5 korrik në dalje të autostradës në fshatin Mazgit.
Në njoftimin e IPK-së thuhet se pas mosmarrëveshjes të dy palët kanë ndalë automjetet e tyre në rrugë dhe kanë filluar një konflikt fizik mes vete, me ç’ rast nga të dy palët kanë pësuar lëndime trupore.
“Hetuesit e IPK-së dhe Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore Prishtinë, pas analizimit të rastit, rastin e kanë proceduar si vepër penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 i KPRK-së, dhe në cilësi të dyshuarit kanë intervistuar të gjithë personat e përfshirë në rast”.
“Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar Aktvendim mbi ndalimin e katër policëve dhe tre qytetar për 48 orë. Veprimet tjera lidhur me këtë rast do të ndërmerren në konsultim me prokurorin e shtetit”, thuhet në njoftim.