Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare Petraq Kolevica, një personalitet mes dy arteve: poezisë dhe arkitekturës.
Ai do të kujtohet si artist për vëllimet e tij me poezi lirike dhe bisedat me Lasgush Poradecin e Mitrush Kutelin, dhe si arkitekt i ndërtimeve me frymë moderniste në Tiranën e para viteve ’90.
Lajmi për ikjen nga kjo botë të Petraq Kolevicës është dhënë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT, në Tiranë. Universiteti Politeknik në mesazhin ngushëllues e cilëson arkitektin, mjeshtër të modernizmit në Shqipëri.
Kolevica u lind në Korcë dhe aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Studimet pёr inxhinieri ndёrtimi i kreu nё periudhёn 1952-1957 nё Universitetin politeknik tё Tiranёs dhe pas diplomimit, punoi shumё vite si inxhinier dhe arkitekt.
Gjatё gjithё veprimtarisё si arkitekt ai u mundua tё projektonte ndёrtesa moderne dhe funksionale, si godina e sanatoriumit, pallatet pranë rrugës së ambasadave dhe bashkëautor i Muzeut Kombëtar. U kritikua shumё herё pёr ndikime tё huaja nga partiakёt e asaj kohe.
Jetёn e tij si inxhinier dhe arkitekt Kolevica e ka pёrmbledhur nё librin “Arkitektura dhe diktatura”, ndërsa në botimet me emrin e tij numërohen një sërë krijimesh, si “Kёngё nga koha e keqe”, “Tё korrat e vona”, “Me Mitrushin” e “Lasgushi ma ka thënë”. Në trashëgiminë e përkthimeve Kolevica i dha lexuesit shqiptare poemën “Demoni” tё Lermontovit, “Poezi gjermane dhe austriake”, dhe poezi klasike japoneze. /tesheshi.com/